Lirim Kastrati u bashkua me Vllazninë në gusht të vitit 2025 si lojtar i lirë, pasi mbylli aventurën e tij me Videoton FC në Hungari. Mirëpo, shkodranët nuk kanë qenë të vetmi nga Superiorja, të cilët ishin futur në bisedime me anësorin 27-vjeçar.
Burime për “Newsport.al” raportojnë se klubi i Egnatias ka qenë shumë pranë transferimit të Kastratit. Dëshira ishte dypalëshe e ndoshta pak më shumë nga ana e futbollistit. U ra dakord parimisht, por kur u nda “shapi nga sheqeri” në aspektin e përfitimeve, aty çaloi gjithçka.
Mësohet se kërkesa e Lirim Kastratit ka qenë një pagë e majme, prej 12 mijë eurosh në muaj. Kërkesë kjo që është hedhur poshtë nga drejtuesit rrogozhinas, të cilët një vit më parë nuk e kanë parë të arsyeshme një “sakrificë” të tillë financiare.
Siç duket, dëshirat financiare të 27-vjeçarit i ka plotësuar Vllaznia. Në llogjikë të thjeshtë duket se 12 mijë eurot i ka “derdhur” në xhepat e futbollistit klubi shkodran, duke bërë që Kastrati të vazhdonte karrierën e tij në Shkodër. /Nikoll RAJTA/

