Teuta dhe “bëmat” e saj në merkato. Klubi durrsak nuk e ka ndalur për asnjë çast ritmin, duke u përforcuar në çdo repart të mundshëm.
Emërimi në stol i trajnerit Edlir Tetova ishte “kryevepra” e parë e klubit që riktheu një “strateg” në stol, për t’i dhënë besimin e ringritjes së skuadrës në nivelin ku i takon të jetë.
Së fundmi, Tetovës do t’i bashkohet edhe “dora e vjetër”, pasi mësohet se Julian Brahja do të largohet nga Egnatia për të kaluar pikërisht në Durrës, si pjesë e projektit të ri sportiv të durrsakëve.
Së bashku me të, do të jetë edhe Andri Babaj me pozicionin e përgatitësit atletik. Edhe ky i fundit do të braktisë kampionët në fuqi të Superiores, për të marrë përsipër një përvojë të re me këtë skuadër.
