Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

EKSKLUZIVE/ Ëndrra e një nate vere, Eneo Bitri “fjeti” si lojtar i kuq dhe u zgjua si rrogozhinas (PRAPASKENAT ME DREJTUESIT E PARTIZANIT)

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ Ëndrra e një nate vere, Eneo Bitri “fjeti” si
Foto e gjeneruar me AI: Agim Demrozi, Eneo Bitri & Gaz Demi

Rikthimi i Eneo Bitrit në Superiore nuk ka qenë aq i thjeshtë sa duket. Nga prapaskenat e mësuara, mbrojtësi i njohur ka kaluar disa stacione përpara se të mbërrinte në Rrogozhinë. Ashtu si në komedinë e famshme të Shekspirit, “Ëndrra e një nate vere”, ku një forcë magjike ndryshonte fatet e personazheve brenda një nate, edhe e ardhmja e Bitrit mori një kthesë të papritur.

Siç mëson “Newsport.al”, Eneo Bitri ka qenë në tratativa të vazhdueshme me Partizanin. Madje, në rikthimin e tij në Shqipëri, ai ka zhvilluar një takim me drejtuesit e kuq, duke arritur parimisht një akord me 18 herë kampionët e vendit. Të nesërmen në mëngjes, lojtari ka udhëtuar drejt Rrogozhinës për të respektuar ofertën e Egnatias dhe për t'u komunikuar drejtuesve se kishte vendosur të firmoste me Partizanin.

Por gjatë takimit me drejtuesit e Egnatias, situata ka ndryshuar. Oferta financiare e vendosur në tryezë, së bashku me bonuset e parashikuara në kontratë, kanë bindur mbrojtësin të rishqyrtonte vendimin e tij. Në këto kushte, shtatlarti nuk është menduar gjatë dhe ka hedhur firmën mbi kontratën me kampionët në fuqi, i bindur edhe nga objektivat ambiciozë të klubit rrogozhinas.

Pas nënshkrimit, Bitri është larguar nga Rrogozhina drejt Tiranës. Por kur është kontaktuar nga drejtuesit e Partizanit për të finalizuar zyrtarisht marrëveshjen paraprake, ai u ka bërë me dije se tashmë kishte firmosur me Egnatian, duke i gjetur të papërgatitur drejtuesit e kuq.

Bitri konsiderohej si një nga pikat kyçe të merkatos së Partizanit për sezonin e ri, por në fund Agim Demrozi është treguar më i shpejtë dhe ka siguruar shërbimet e një lojtari me përvojë dhe cilësi. Ashtu si në “Ëndrrën e një nate vere”, ku një natë mjaftonte për të ndryshuar gjithçka, edhe për Bitrin një ofertë e përmirësuar ndryshoi rrjedhën e historisë, duke e bërë që të nesërmen të zgjohej jo si i kuq, por si rrogozhinas. /Nikoll RAJTA/

Poll

Lexo gjithashtu