Saliou Sembene mund të konsiderohet i larguar nga Partizani. Burime të besueshme tregojnë për "Newsport.al" që shtatlarti i prapavijës së kuqe nuk ka preferuar të rinovojë me kryeqytetasit duke lënë të hapura mundësitë për të ardhmen e tij.
Edhe pse në sezonin e fundit ishte një nga lojtarët e preferuar titullar tek të kuqtë, oshilacionet kanë bërë që mos të ketë një rinovim me parametra më të lartë ekonomikë. E në këto kushte, ai ka vendosur të largohet pas 5 vitesh nga Partizani.
Të njëjtat burime tregojnë se në sulm për shërbimet e tij janë hedhur Dinamo dhe Vllaznia. Kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ia njohin mirë cilësitë e tij, pasi ka qenë tekniku dinamovit që e zgjodhi asokohe të qëndronte te Partizani në periudhën e provës së afrikanit.
E megjithatë 18-herë kampionët e Shqipërisë duhet të luftojnë me rivalët e Vllaznisë pasi trajneri Edi Martini ka shprehur nevojën për një qendërmbrojtës me cilësitë e Sembene. A do të jetë apo jo afrikani, kjo pritet për t’u parë në ditët në vijim. /Nikoll RAJTA/
