Kamer Qaka pritet të jetë një nga lojtarët kryesorë të Partizanit në sezonin e ri futbollistik. Mesfushori i njohur që ka luajtur edhe me kombëtaren shqiptare nuk arriti të jepte maksimumin në edicionin e shkuar për shkak të penalizimit nga dëmtimet.
E megjithatë ky edicion i ri me trajnerin rumun Florin Bratu që pritet të prezantohet në ditët në vijim, mund ta vendosë Qakën si titullar në radhët e të kuqve. Burime pranë klubit bëjnë me dije për "Newsport.al" që atij i është aktivizuar klauzola e rinovimit në kontratë, ku ndër të tjera, ka edhe ndryshime në aspektiin e termave ekonomikë.
Të njëjtat burime zbulojnë se Qaka përfitonte në sezonin e shkuar 5500 euro në muaj, ndërsa me klauzolën e re, paga i shkon 6500 euro në muaj. Drejtuesit e kuq, ndër vite, janë treguar të kujdesshëm me rrogat duke mos i fryrë. E siç mësohet, edhe një lojtar me cilësitë e Qakës që ka provuar edhe skenën europiane apo fanelën kuqezi, do të paguhet në sezonin e ri 6500 euro në muaj. /Nikoll RAJTA/
