Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

EKSKLUZIVE/ “Me Gaz Demin u ndamë si miq, momentalisht kam bisedime por...”, Kërnaja pas shkarkimit nga Partizani: Peng që nuk çova deri në fund premtimin! Reagimi i Mehmetit? Është një lojtar që...

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Me Gaz Demin u ndamë si miq, momentalisht kam bisedime
Oltijon Kërnaja

Shkarkimi i Oltijon Kërnajës nga posti i trajnerit ishte “rrufe në qiell të hapur” te Partizani. Një vendim që erdhi 3 javë para fundit të kampionatit dhe me të kuqtë, që ishin ende në luftë për një vend në “Final Four”.

Ndërkohë që pas shkarkimit, vetë tekniku tropojan ka dhënë një prononcim ekskluziv për “Newsport.al”, duke folur për marrëdhënien me lojtarët, por edhe ndarjen me presidentin Gaz Demi. Gjithashtu, Kërnaja ka folur në veçanti për mesfushorin Adnard Mehmeti, i cili ditën e djeshme u “shfaq” i lumtur për shkarkimin e trajnerit 37-vjeçar.

Përsa i përket të ardhmes, Kërnaja ka theksuar se momentalisht po fokusohet tek familja. Megjithatë, ai pohon të ketë pasur bisedime, të cilat deri më tani nuk përbëjnë asgjë konkrete, me të ardhmen që mbetet për t’u vendosur gjatë verës.  

Marrëdhënia me lojtarët? Me lojtarët kam pasur një marrëdhënie shumë korrekte. Me djemtë çdo gjë e diskutonim ballë për ballë. Gjithësecili e dinte se çfarë duhet të bënte dhe çfarë kërkoja unë. Asnjë nuk ka qenë i preferuari i trajnerit ose anasjellas. Në aktivizimin e tyre ndikonin vetëm paraqitjet në seancat stërvitore dhe në ndeshjet zyrtare.

Mehmeti dhe reagimi i tij pas largimit tuaj? Mehmeti është një lojtar që është aktivizuar shumë nga unë, kur ishte në gjendje optimale. Kjo ndodhi pavarësisht se vinte nga dëmtimi dhe jo me një fazë përgatitore të rregullt. Pas shkurtit, ka pasur probleme me dëmtimet dhe ka bërë stërvitje të diferencuar. Te Partizani s’ka pasur të preferuar, për vetë faktin që janë aktivizuar rreth 38 futbollistë. Nëse do të kishte të preferuar do të aktivizoheshin shumë, por shumë më pak se aq.

Mund të kenë ndikuar një grup lojtarësh tek shkarkimi juaj? Nuk besoj që kanë ndikuar. Vendimi i klubit ka qenë një vendim i lidhur me mua, s’ka lidhje me lojtarët sepse siç e theksova, gjithmonë ka qenë performanca e tyre që vendoste se kush luante. Kjo e faktuar me video-analiza, me matjet e GPX dhe statistikave nga i gjithë stafi.

Pengje pas largimit? Peng, jo. Nuk kam asnjë peng. Për kaq muaj unë dhe stafi kemi qenë të përkushtuar me orë të tëra, për të mirën e klubit. Nëse do të quhej peng, ishte që të çoja deri në fund premtimin që ju dhamë tifozëve, për të dërguar ekipin në “Final Four”. Por, duke qenë se unë jam larguar, por kam lënë stafin tim në drejtim, besoj se çunat do ta çojnë premtimin tim deri në fund. Realfi (Zhivanaj) Ori (Oriand Abazaj) dhe Kushtrimi (Voka) do të bëjnë maksimumin për të arritur objektivin që i vendosëm vetes sonë. Jo, nga klubi s’kam asnjë peng.

Ndarja me presidentin Gaz Demi? Jemi ndarë si miq të vërtetë me presidentin Demi. Ishte vetë presidenti z.Gaz Demi, që më besoi atëherë kur askush s’e priste. Dhe pikërisht ishte presidenti ai i cili vendosi që rrugët të ndaheshin. Duke e falënderuar për mundësinë që më dha, shpresoj t’ia kem shpërblyer sadopak.

E ardhmja? Të them të drejtën, momentalisht po i përkushtohem familjes, duke qenë se i kam qëndruar paksa larg këto 9 muaj. Presim të mbarojë sezoni. Momentalisht janë vetëm bisedime, asgjë zyrtare. Presim të mbarojë sezoni, pastaj të shohim për projektet e reja që mund të na besohen.

Poll

Lexo gjithashtu