Raportimet e fundit që vijnë nga Milani janë vërtetë shqetësuese. Siç shkruan “Milannews.it”, presidenti i klubit Gerry Cardinale ka patur një takim plot tensione me Zlatan Ibrahimovic, i cili mban dhe rolin e këshilltarit të tij, ose thënë ndryshe “krahu i djathtë”.
Një “lëmsh” i pazgjidhur ka kapluar kuqezinjtë, të cilët ende nuk kanë gjetur zgjidhjen se kush do të ulet në stol, kush do të mbajë detyrën e drejtorit sportiv, atë të drejtorit teknik si dhe administratorin e deleguar, pozicione këto që presin një “verdikt” përfundimtar.
Në kampin e “Djallit” ekzistojnë shumë mosdakordësi dhe kjo ka bërë që të ndodhë “ngrirja” e veprimeve të domosdoshme, teksa Milani rrezikon seriozisht dhe ulje të pikëve në edicionin e ri 2026/27, nëse nuk dorëzon në kohën e duhur dokumentet e nevojshme pranë Federatës italiane.
