Diar Halili ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e klubit të Tiranës. Përmes një postimi në rrjetin e tij social, mbrojtësi ka komunikuar vendimin e tij për t'u larguar nga bardheblutë.
Në këtë postim, ai shkruan se ndihet falenderues ndaj drejtuesve dhe tifozëve për kohën që kanë kaluar së bashku dhe se kjo periudhë do të "skalitet" gjithmonë, përtej shkëputjes së bashkëpunimit.
"Faleminderit të gjithë klubit @kftirana.al dhe tifozëve Fanatics për këtë kohë kaq të bukur që kaluam së bashku, gjithmonë do të jeni në zemrën time", shprehet Halili.
22-vjeçari zhvilloi këtë sezon që sapo lamë pas 16 paraqitje, ku shënoi vetëm 1 gol. Tek kryeqytetasit, Halili kaloi me formulën e huazimit nga klubi i Prishtinës, ndërsa vetë drejtuesit nuk proceduan mundësinë për ta blerë talentin e mbrojtjes, duke lënë "kartat" e hapura për një lëvizje të radhës.
Krahas këtyre eksperiencave, tashmë ish-i bardheblu, ka veshur më parë edhe fanellën e moshave të Portos në Portugali, si dhe ato të Besës së Pejës dhe Vjosës, po në Kosovë.
