Vllaznia ka mbajtur një qëndrim publik lidhur me aludimet që lidhen drejtpërdrejtë me humbjen që shkodranët pësuan në javën e 34-të në Abissnet Superiore në "Loro Boriçi" nga Bylisi në shifrat 0-2.
Për të shuar njëherë e mirë këto dyshime që prekin integritetin e garës dhe lojën e ndershme dhe kompetitive në elitën e futbollit shqiptar, faqja zyrtare e klubit ka shpalosur gjithçka në njoftimin zyrtar të postuar pak minuta më parë.
Faqja e klubit ka saktësuar se nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshje që cënon këtë parim të lojës.
Vetë presidenti Alban Xhaferi ka zgjedhur të sheshojë "kritikët" duke i rikujtuar se ky klub përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet dhe se çdo arritje ka ardhur përmes përkushtimit, punës dhe meritës.
REAGIMI:
"Gjatë ditëve të fundit janë përhapur në disa media dhe rrjete sociale aludime dhe komente lidhur me integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit.
KF Vllaznia, përmes Presidentit Alban Xhaferi, ndjen detyrimin të sqarojë publikisht dhe me përgjegjësi:
Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cënon ndershmërinë e garës.
Ky klub përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet, dhe çdo arritje e jona ka ardhur dhe do të vijë vetëm përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushën e lojës.
Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e opinionit publik në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit, si dhe pritshmëritë e larta, por njëkohësisht besojmë se hedhja e dyshimeve pa prova dëmton jo vetëm klubet, por gjithë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.
Ftojmë të gjithë aktorët – mediat, opinionin sportiv dhe institucionet – të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në komunikim.
Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe të trajtohet në rrugët zyrtare.
Vllaznia do të vazhdojë rrugën e saj me seriozitet, duke folur në fushë dhe duke respektuar lojën e ndershme.", shkruan klubi i Vllaznisë në sqarimin zyrtar.
