Të dielën në stadiumin “Elbasan Arena”, janë mbajtur homazhet në nder të futbollistit të ndjerë, Fatjon Bunjakut.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtori sportiv i klubit, Elton Guranjaku, mesfushori Xhonatan Lajthia si dhe deputeti socialist Adi Qose, të cilët shprehën me fjalë dhimbjen që ndjenë për këtë humbje të madhe për qytetin e Elbasanit, vetë skuadrën dhe komunitetin sportiv shqiptar.
Xhonatan Lajthia: Jemi shumë të hidhëruar për humbjen e shokut tonë, të vëllait tonë, e mikut tonë. Është një ditë shumë e trishtë për ne. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, miqve të tij të afërt dhe këdo që ka pranë zemrës. Familja e madhe AF Elbasani do t’i qëndrojë gjithmonë kujtim në zemrat e veta. Ishte një djalë shumë impulsiv, me shumë zemër të pastër. Gjithçka e bënte, e bënte sepse e dashuronte futbollin, fliste me shumë zell për jetën dhe ishte një tip impulsiv, kjo ishte një karakteristikë e tij, por Zoti e deshi pranë vetes dhe shpresoj të jetë i Xhenetit.
Elton Guranjaku: Sot për ne është një ditë zie, për klubin, për qytetin, për të gjithë tifozët e Elbasanit dhe faktikisht nga ana e klubit, e qytetit dhe tifozëve do t’i shprehja ngushëllime familjes së Bunjakut, të cilët humbën njeriun më të dashur të tyre, po ashtu siç humbën edhe ne një njeri dhe një futbollist të talentuar.
Adi Qose: Moment shumë i vështirë në fakt për gjithë futbollin shqiptar, por në veçanti për atë elbasanas, ku humbja e Fatjon Bunjakut, një aksident tragjik i ka pikëlluar të gjithë tifozët e Elbasanit. Do të doja që në emër të të gjithë qytetarëve të Elbasanit t’i shprehja ngushëllimet familjes së Fatjon Bunjakut, një shembull, një sportist por edhe një njeri për t’u patur shembull. Ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë shokët e skuadrës së ekipit të Elbasanit.
Bunjaku u nda tragjikisht nga jeta në moshën 22-vjeçari pas një aksidenti në aksin Vushtri-Mitrovicë në orët e para të së dielës.
