Albano Aleksi ka folur së fundmi për “Euronews Albania”, mbi situatën e ndodhur gjatë takimit Egnatia – Vllaznia, i cili përfundoi 2-2. Mesfushori i kampionëve ka sqaruar për festimin e tij, pas golit të shënuar ndaj Vllaznisë.
“Festimi nuk ishte për sharje dhe për shkodranët, por për t’u drejtuar presidencës: ne jemi këtu dhe çdokush nuk mund të na mundë kaq lehtë. Por mesa duket në tribunë paska pasur edhe tifozë të Vllaznisë dhe e kanë marrë si ofendim. Nuk kisha asgjë me ta. Jemi profesionistë, por jemi edhe njerëz. Mërzitemi kur na shajnë, por secili tregon veten dhe karakterin e tij. Kam miq në Shkodër, por futbolli është i tillë: kur luaj te Egnatia jap 200% timin.
Para se të vija te Egnatia, kam pasur ofertë edhe nga Vllaznia, ndoshta nuk e dini. Por bëra këtë zgjedhje dhe falë saj kam fituar trofe. Ata 20 veta që më shajnë nuk përfaqësojnë Shkodrën, por e gjithë qyteti do ta kuptojë që nuk kam asgjë personale me ta, pavarësisht momentit sesi duket në televizion. Mbase shumë nuk e njohin mirë, por kur shënon gol në fund, ke gëzim të madh. U drejtova drejt tribunës, pa e vënë re se kush ishte, për shkak të adrenalinës
Skema e golit? E shpiku Tetova, e kishim stërvitur tre herë, dy herë u realizua goli dhe një herë jo. Për fat të mirë shkoi gol dhe gjithçka ishte sipas planit. Përveç rezultatit, të gjithë e shijuan ndeshjen, pavarësisht se të dy ekipet nuk janë të kënaqura me barazimin, as ne dhe as Vllaznia”, tha Albano Aleksi.


