Superiorja në mesjavë do të luajë ndeshjet e fundit për këtë vit kalendarik. Ekipet mes tyre do të sfidohen për llogaritë e javës së 18-të të kampionatit, e cila përkon edhe me fundin e fazës së dytë të Superiores.
5 përballje delikate dhe mjaft interesante janë në program për t’u zhvilluar të të martën dhe të mërkurën. Kështu ditën e nesërme do të sfidohen Partizani – Dinamo dhe Teuta – Egnatia. duele këto që do të startojnë në orën 18:00 dhe do të luhet paralelisht në “Arenën e Demave” dhe në “Niko Dovana”.
Ndërkohë ditën e mërkurën do të luftojnë për 3 pikët e fundit të këtij vitit Vora – Bylis që do të startojë në orën 13:30. Ndërkohë në orën 16:30 do të përballen Elbasani – Tirana dhe Vllaznia – Flamurtari.
Këto dy takime do të luhen paralelisht në “Elbasan Arena” dhe në “Loro Boriçi”. Pas rezultateve të këtyre sfidave do të mësohet edhe renditja e kampionatit pas dy fazave të para të Superiores dhe cila skuadër mes Egnatias e Elbasanit do të jetë “kampionë dimri”.
