Partizani mund të themi që është ekipi më në formë i momentit në “Abissnet Superiore”. Diçka të tillë nuk e tregojnë vetëm 5 fitoret radhazi, por këto triumfe kanë ardhur me lojë dominuese.
I fundit ishte derbi, i fituar me shifrat 2-0 përballë Dinamos. Një ndeshje ku futbollistët në fushë bënë të tyren, por një derbi i fituar nga trajneri Oltijon Kërnaja. Ky i fundit u nënvlerësua shumë kur mori drejtimin e Partizanit. Kjo, jo për faktin që të kuqtë ndodheshin afër fundit të klasifikimit, por për deklaratat e tij.
“Partizani është investuar për të qenë lart, në krye të klasifikimit. Sigurisht që e shikoj Partizani në Top 4 në Final Four. Një fitore e radhës do ta kalojë këtë ngërç dhe gjithë ekipi di fillojë të futet në ritmin e vet”, shprehej në nëntor Kërnaja, kur Partizani kishte vetëm 5 pikë pas 8 javësh.
Një deklaratë kjo që solli reagim të gjërë, nga reagimet kundër tij e deri te nënvlerësimi. Tani, tekniku nga Tropoja jo vetëm ka fituar besimin e drejtuesve të kuq, por ka heshtur të gjithë kritikët.
Partizani i tij është në “top formë”, duke mbajtur vendin e katërt, gjë që do të thotë luftë për titull deri në fund të kampionatit.
