Ambiciet e Dinamos për të patur një nisje sa më të mirë në Conference League, shtuar këtu edhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm, mund të konfirmohen nga lëvizjet që kryeqytetasit janë duke bërë së fundmi me merkaton në hyrje.
Siç raportojnë burimet për Newsport.al, këtë herë drejtuesit kanë pikasur Fabjan Përndrecën, mbrojtësin e krahut të majtë të Bylisit.
Mësohet se momentalisht, klubi është duke menduar ta afrojë me formulën e huazimit, në kuadër të ndeshjeve që “blutë” do të luajnë në kualifikieset europiane, por nuk përjashtohet mundësia që palët të vijojnë me bisedimet për ta mbajtur përtej kësaj periudhe.
Në sezonin që sapo lamë pas, 19-vjeçari mori pjesë në 32 ndeshje aktive me ballshiotët, duke shënuar 1 gol si dhe dhuruar 5 asiste. Po ashtu, edhe me Kombëtaren U-21, mbrojtësi konsiderohet një “benjamin” për trajnerin Alban Bushi, duke zhvilluar 9 prezenca në total.
Në vitin 2025, ai u shpall edhe "Talenti i Vitit", në një ceremoni të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, trofe ky i dorëzuar nga mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj.
