Egnatia do të udhëtojë drejt kryeqytetit të shtunën për t’u përballur me Dinamon, në sfidën e përcaktuar për t'u luajtur në orën 16:00 për llogari të javës së 34-të në Abissnet Superiore.
Ajo humbje në Rrogozhinë përballë Vorës me rezultatin 0-2, bëri për ujë të ftohtë skuadrën që mban ende statusin e kampiones në fuqi të Superiores dhe që shpreson akoma tek titulli edhe këtë edicion 2025-26. Pasi siguruan dhe matematikisht Final Four, "egoja" e rrogozhinasve ende flet për urinë e fitores, për të lënë pas krahëve atë çfarë ndodhi një javë më parë.
Për të kuptuar energjinë që po ndihet tek “djemtë” e trajnerit Edlir Tetova, mjafton të shohim postimin e fundit të bërë nga vetë Egnatia në rrjetet sociale. Pasi një javë më parë pamë aftësitë e “Supersajanit” në posterin prezantues, këtë herë rrogozhinasit janë “në mision” për tri pikët.
