
Elbasani do të luajë në një transfertë të vështirë ditën e shtunë. Në orën 19:00 në “Loro Boriçi” do të ketë përballë Vllazninë e Edi Martinit.
Një përballje mes 2 vendeve të para në klasifikim, ku bëhet edhe më e luftuar kjo sfide. Aktualisht udhëheqin verdheblutë me 1 pikë më shumë, por në duelet direkte mes tyre, shkodranët janë një hap para.
Saktësisht Vllaznia dhe Elbasani janë përballur sezonin e kaluar 6 herë mes tyre. 4 herë në kampionat dhe 2 herë në Kupën e Shqipërisë. Nga këto takime vetëm 1 është fituar nga ekipi i Edi Martinit në kampionat, ndërsa përballjet e tjera kanë përfunduar në barazim.
Edhe ato të Kupës së Shqipërisë kanë përfunduar në barazim, por pas gjuajtjes së penalltive do të triumfonte ekipi shkodran. Statistika këto që tregojnë se dueli i së shtunës do të jetë mjaft delikat dhe shumë i luftuar, mes skuadrave që duan të kryesojnë kampionatin.