Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës nuk ka qenë vendimtar vetëm për renditjen në kampionat, por shpeshherë edhe për fatin e trajnerëve në stol. Sot ishte rasti më i freskët, me klubin “bardheblu” që njoftoi shkarkimin e Ardian Nuhiut, por ky nuk është rasti i vetëm.
Rasti i parë i bujshëm daton në shkurt 2014, kur Hasan Lika dha dorëheqjen nga "Demat" pas humbjes 1-0 ndaj Tiranës. Presioni i rezultatit në derbi rezultoi vendimtar për largimin e tij nga stoli i të kuqve. Në dhjetor 2019, radha i erdhi italianit Franco Lerda. Humbja 2-1 ndaj bardhebluve në derbi i kushtoi postin trajnerit, me klubin që vendosi të ndërpresë bashkëpunimin menjëherë pas sfidës.
Edhe Ilir Daja u largua nga drejtimi i Partizanit pas humbjes 1-2 në derbin e dhjetorit 2021. Ndeshja u konsiderua si pika e kthesës në vendimin e drejtuesve për të ndryshuar timonin teknik. Së fundmi, në tetor 2025, serbi Mladen Milinkovic u shkarkua pas disfatës 0-3 ndaj Tiranës, një humbje që u cilësua si e papranueshme për objektivat e klubit.
As Tirana nuk i ka shpëtuar “efektit derbi”. Në janar 2021, Nevil Dede u largua nga drejtimi i skuadrës pas humbjes 1-0 ndaj Partizanit, në një periudhë të vështirë për "bardheblutë". Në shkurt 2024, klubi vendosi të shkarkojë Julian Ahmataj pas humbjes 2-1 në derbi, një rezultat që thelloi krizën e ekipit në atë moment të sezonit.
Rasti më i fundit është ai i Ardian Nuhiu, i cili u shkarkua më 23 shkurt 2026 (sot), pas humbjes 2-0 ndaj Partizanit në “Air Albania”, me teknikun e Partizanit, Oltijon Kërnajën që qëlloi gjahun e radhës.
