Shkëndijat e para janë dhënë nga Stavro Pilo, i cili ka shumë më tepër arsye për t’iu gëzuar momentit të mirë që po kalon.
Pasi mori ftesën e trajnerit Sylvinho për ndeshjen me Poloninë, të vlefshme për gjysmëfinalet e play-off, “risia” e mbrojtjes kuqezi e ka manifestuar siç duhet këtë “shpërblim” nga Kombëtarja duke u bërë protagonist në përballjen e fituar nga skuadra greke ku ai luan, AEK-u, bashkë me portierin Thomas Strakosha.
Në këtë sfidë, Pilo u vlerësua me notën 8.0, tregues që në vijën e mbrojtjes ai është i pakalueshëm. Sinjale të mira këto për Sylvinhon që mund t’i japë minuta përballë polakëve në transfertën e vështirë në Varshavë.
Së fundmi, 25-vjeçari është bërë pjesë e formacionit të javës në kampionatin grek, në rreshtimin 3-4-2-1. Këtë zhvillim të rëndësishëm, vetë Pilo e ka shpërndarë në rrjetin e tij social në Instagram.
Më herët, Federata Shqiptare e Futbollit, e prezantoi Pilon me shtatlartin tjetër të mbrojtjes, Bujar Pllanën të cilët u mirëpritën “siç e do zakoni” në Shtëpinë e Futbollit.
