
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic ka folur në përfundim të ndeshjes me Shqipërinë, e cila përfundoi 0-0. Ndryshe nga mediat serbe, të cilat e “përshkruajtën” si terror duelin në Tiranë, Stojkovic tha se do të donte një tifozeri si e Shqipërisë.
Ndër të tjera, Stojkovic duket nga kritikat e tifozëve dhe medias serbe, i ka dërguar një “mesazh” të tërthortë edhe Federatës Serbe. Tekniku serb thotë se nëse ishin të pakënaqur nga loja, mund të merrnin një trajner të ri.
“Nuk ju pëlqeu loja e Serbisë? Atëherë gjeni një trajner të ri! Një ndeshje shumë e vështirë, konkurruese, Shqipëria është një ekip cilësor, konkurrues, ne treguam me formacionin tonë se erdhëm për fitoren. I përgëzoj tifozët shqiptarë, kur shoh gjithçka mendoj se pika është më e ëmbël për ne sesa për Shqipërinë.
Atmosfera ishte fantastike për futbollin, do të doja të kishim një tifozeri si kjo e Shqipërisë. Sa për gjëra të tjera, nuk pashë asgjë, sinqerisht isha i përqendruar në lojë. Kur u dha ajo penallti, isha sikur më kishin goditur me çekiç, por Petrovic ishte fenomal sot”, tha Stojkovic.