Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

BOTËRORI 2026

Belgjika i “hakërrehet” FIFA-s dhe Infantinos, federata del hapur lidhur me çështjen “Balogun”: Po shkelen rregullat e lojës, do e kundërshtojmë

Shkruar nga NEWSPORT
Belgjika i “hakërrehet” FIFA-s dhe Infantinos, federata del
Gianni Infantino - Logoja e Belgjikës - Folarin Balogun

“Shkëndijat” tashmë kanë ndodhur dhe situata mes trinomit Belgjikë – Angli – dhe FIFA është tensionuar ndjeshëm. Shkak i kësaj “përplasjeje” në distancë është bërë sulmuesi i Kombëtares amerikane, Folarin Balogun, të cilit iu anulua dhe kartoni i kuq i marrë në ndeshjen e fundit, duke bërë që të jetë plotësisht i gatshëm për përballjen e së martës në orët e para të mëngjesit.

Duket se vetë federata belge ka ndërmarrë një tjetër hap më shumë, duke kërkuar llogari për prishje rregullash qartazi të lojës, madje duke iu drejtuar FIFA-s me tone të ashpra, që po lejon aktivizimin e një futbollisti në fushë, pavarësisht se po shkel me të dyja këmbët ligjin.

NJOFTIMI I FEDERATËS BELGE TË FUTBOLLIT:

“Pas deklaratës së saj të mëparshme, RBFA (Federata Mbretërore belge e Futbollit) dëshiron të sqarojë publikisht ngjarjet e orëve të fundit.

Pasi mësoi nga raportimet mediatike se FIFA kishte vendosur të hiqte pezullimin automatik të Balogun, federata belge i dërgoi një letër FIFA-s duke kërkuar një kopje të vendimit, shpjegime mbi procedurën e ndjekur dhe duke paraqitur qëndrimin e saj mbi rregullat përkatëse.

Sipas RBFA-së, përgjigjja e vetme nga FIFA ishte se kjo letër po konsiderohej si apel, se ishte caktuar një gjyqtar për shqyrtimin e tij dhe se Belgjika kishte vetëm pak orë kohë për ta plotësuar atë. Megjithatë, FIFA nuk i vuri në dispozicion asnjë vendim apo shpjegim.

Federata belge thekson se, sipas rregulloreve të vetë FIFA-s, një apel mund të paraqitet vetëm pasi pala të ketë marrë vendimin e arsyetuar. Sipas saj, FIFA e trajtoi kërkesën për informacion si apel dhe më pas krijoi kushtet që ai të shpallej i papranueshëm.

RBFA shton se FIFA nuk iu përgjigj as kërkesave të saj të tjera për sqarime.

Po ashtu, federata pretendon se gjatë mbledhjes organizative para ndeshjes, FIFA hoqi nga prezantimi pjesën që trajtonte pezullimin automatik të lojtarëve pas kartonit të kuq, ndonëse kjo ishte përfshirë në të gjitha mbledhjet për katër ndeshjet e mëparshme. Edhe për këtë ndryshim, sipas RBFA-së, FIFA nuk dha asnjë shpjegim.

Federata belge deklaron se deri në këtë moment nuk ka marrë ende as vendimin zyrtar dhe as arsyetimin e FIFA-s. Për këtë arsye, ajo do të kundërshtojë zyrtarisht të drejtën e Balogun për të luajtur në ndeshje.

Pavarësisht rezultatit sportiv, RBFA shprehet se do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje në ditët dhe muajt në vijim, në mbrojtje të parimeve të etikës, garës së ndershme dhe interesave të futbollit”.

Poll

Lexo gjithashtu