Klubi i Vllaznisë ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit Randy Dwumfour, i cili vjen nga rivalët e Skënderbeut. 25-vjeçari nga Gana ka firmosur kontratë 1-vjeçare, me opsion edhe për 1 vit tjetër.
Forca fizike dhe efikasiteti në duelet ajrore janë karakteristikat që e dallojnë Dwumfour. Edhe pse lojtari afrikan ka profil qendërmbrojtës sipas “Transfermarkt”, Vllaznia e ka prezantuar si mesfushor, i cili e manovron edhe këtë pozicion në fushën e blertë. “Mirë se erdhe, Randy Dwumfour!
KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë afrimin e mesfushorit Randy Dwumfour, i cili do të veshë fanelën kuqeblu pas eksperiencës së fituar në kampionatin shqiptar. Futbollisti ka firmosur një kontratë 1+1, me të drejtë rinovimi, duke u bërë pjesë e projektit të Vllaznisë për sezonet në vijim.
Me forcën fizike, dinamizmin dhe eksperiencën e tij në futbollin shqiptar, Randy pritet të sjellë vlera të rëndësishme për ekipin tonë. I urojmë Randy-t suksese dhe sa më shumë fitore me fanelën e Vllaznisë! Mirë se erdhe në familjen kuqeblu”, ka shkruar klubi shkodran.
