Java e 29-të në Superiore dhurojë 10 gola në 5 ndeshje të luajtura, me një mesatare prej 2 finalizimesh për takim, ndërsa 4 ekipet e vendeve të para si Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Partizani nuk “korrën” fitore. “Newsport” ka përzgjedhur formacionin e javës, aty ku kemi të shpërndarë të lojtarëve mes 8 ekipesh.
Klevi Totoshi (Elbasani): Në dy raste që Egnatia kërcënojë seriozisht portën e Elbasanit, portieri Totoshi ishte konkret dhe i saktë për të “neutaralizuar” goditjet në adresim të portës.
Fabjan Përndreca (Bylis): Lideri i mbrojtjes te ekipi i Mirel Josës, Fabjan Përndreca mori profilin e protagonistit në fazën ofensive te Bylis në minutën e 83-të, zhbllokoi shifrat në duelin kundër Flamurtarit, e fituar 2 – 1 prej skuadrës ballshiote.
Vasili Zhongo (Teuta): Qendërmbojtësi Vasil Zhongo po përshtatet mjaft mirë nën drejtimin e trajnerit Enkeleid Dobit. Në barazimin “dramatik” kundër Partizanit, Zhongo shënoi dy herë, “vrastar” në goditjet me kokë.
Aurel Marku (Bylis): Saktësia dhe qetësia e prezantuar nga mbrojtësi Aurel Marku, meriton respekt dhe vlerësim të madh karshi Flamurtarit, ndeshje tepër e tensionuar për shkak të pozitave në tabelë. Edhe pse është vetëm 21 vjeç, Marku shfaq “garanci”.
Erdenis Gurishta (Vllaznia): Pas 5 ndeshjesh jashtë ekipit, Gurishta zhvilloi paraqitje mbi mesataren në repartin defensiv ndaj Dinamos, e mbyllur 0 – 0. Lojtari shkodran jo vetëm ishte tepër efikas në mbulim një kundra një, ashtu edhe në inkursionet në krahun e djathtë.
Fernando Medeiros (Egnatia): Në mungesë të kapitenit Albano Aleksi, Fernando mori “frerët” e ekipit në mesfushë karshi Elbasanit, ndërsa e mbajti detyrën në lartësin e duhur. Çdo aksion i kampionëve në këtë sfidë kalonte nga këmbët e mesfushorit brazilian.
Malomo Ayodeji (Dinamo): Ndonëse ekipi i Ilr Dajës nuk shkoi më shumë se barazimi i “bardhë” në “Loro Boriçi” kundër Vllaznisë, mesfushori me tipare ofensive Malomo spikati te “blutë”, ndryshe nga sa kishte bërë me herët nën urdhërat e Dajës, pasi afrimit në merkaton e dimrit.
Renato Xhixha (Tiranë): U fut në fushë përgjatë minutës së 65-të, pak sekonda më vonë shënoi gol. Impakt i jashtëzakonshëm nga sulmuesi Xhixha ndaj Vorës. Jo vetëm kaq, në minutën e 81-të, ai shënoi sërish.
Pak momente më vonë, u largua nga fusha për shkak të ngarkesës fizike. Praktikisht bëri gjithçka dhe “ngjall” Tiranën për garën e mbijetesës, i largon përkohësisht nga vendi i fundit në tabelë.
Rowan Human (Partizani): Trajneri i Partizanit Oltijon Kërnaja ka fatin e madhe që në ekip ndodhet lojtari ekuivalent Rowan Human.
Ai mund të të luaj pa problem si “10” pas “pykës, sulmuesi i majtë e mesfushor qendror, duke i rritur opsionet Kërnajës në spostime apo mbushjen e “hendekut” nga dëmtimet.
Ndonëse Human nuk është lojtar i “zëshëm” në përfshirjen e golave te “Demat e Kuq” si Sidibe apo Skuka, kontributi i tij në “prapaskenë” nuk ka nevojë për shumë “reklamë”, punëtor i madh dhe kokëulur, komponentë të prezantuar në duelin me Teutën në “Niko Dovana”.
Xhonatan Lajthia (Elbasani): Rëndësia e Lajthisë në “optikën” e trajnerit Ivan Gvozdenovic nuk ka të bëjë thjeshtë me shënimin e golave, por edhe krijimin e hapësirave për sulmuesit e tjerë, sikurse u aplikua edhe ndaj Egnatias.
Sulmuesi kavajas luan pa problem në të dyja linjat ofensive, pa harruar karakteristikat defensive kur topi i përket skuadrës rivale.
Freddy Alvarez (Tirana): I dha “udhë” fitores te bardheblutë karshi një rivali të drejtpërdrejtë në objektivin mbijetesë si Vora, finalizimi i minutës së 13-të.
Pas tragjedisë me vajzën e tij, 30-vjeçari nga Kosta Rika po tregon tjetër qasje, asist kundër Bylisit, ndërsa të dielën erdhi goli i parë me fanelën e Tiranës pas 9 prezencash.



