
Vllaznia ka zhvilluar deri tani 3 ndeshje në Conference League, aty ku reparti që ka “çaluar” më shumë është padiskutim prapavija. Në bazë të një statistike të fundit, del një konkluzion vërtetë i tmerrshëm për shkodranët.
Konkretisht, kuadrati i shkodranëve në këto 3 ndeshje është goditur 8 herë, ndërsa numri i golave të pësuar është 4, çka do të thotë se 50% e goditjeve të rivalëve kanë përfunduar në rrjetë, shifër më shumë se sa thjeshtë alarmante.
Detyra kryesore e trajnerit Edi Martini përpara ballafaqimit me Vikingur në kryeqytetin islandez të enjten, përkon me “blindimin” e mbrojtjes, nëse Vllaznia do të avancojë për më tej në Kupat e Europës.
Deri tani “timonieri” Martini i ka rreshtuar të tijtë me sistemin 3-5-2 në të trija ndeshjet e Conference League, ndërsa ndryshimi i vetëm ka qenë Bajrami me Gjinin, kurse Kouros dhe Gurishta nuk janë prekur.