
Partizani luan më 17 maj ora 20:00 në stadiumin “Air Albania” përballë Skënderbeut. Caleb Ekuban, ish-lojtari i Partizanit që tashmë është pjesë e Genoas, i është drejtuar me një video lojtarëve të Partizanit. Kujtojmë se Ekuban ka gjetur dhe rrugën e rrjetës kundër korçarëve, ndërsa jepte kontributin te "demat".
“Përshëndetje o çuna. Jam Ekuban, mendoj se më mbani mend disa prej jush. Kam qenë në klubin tuaj disa vite më parë dhe kam dëgjuar që jeni në gjysëmfinale. Një gjë që nuk arrita te klubi ishte të fitoja trofe dhe shpresoj se mund ta kryeni këtë mision. Bëjeni për mua, për tifozët që janë të mrekullueshëm. Forca Guerrils dhe për një popull që është i kuq, i Partizanit”, shprehet Ekuban.
E gjithë vëmendja është në “Air Albania” për takimin e parë gjysmëfinal. Kujtojmë se fituesi i këtij çifti, përballet me fituesin e takimit tjetër mes Vllaznisë dhe Egnatias.