Dinamo nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, me “Blutë” që ende në Superiore nuk kanë mundur të sigurojnë fitoren e parë për këtë vit. Kjo pasi fitorja e fundit në elitë është në dhjetor të vitit të kaluar.
Por duket se tashmë rrjedha ka ndryshuar. Fitorja e fundit në derbi ndaj Tiranës me shifrat 2-0, duket se ka motivuar dinamovitët. Ky triumf në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë ka sjellë një ndjenjë pozitive në ekip, pasi përveç rezultatit, duket se ekipi kishte përmirësuar shumë edhe në lojë.
Dueli i radhës në kampionat nuk do të jetë për ta aspak i lehtë. Do të presin në “Elbasan Arena” një ekip që lufton për mbijetesën dhe bëhet fjalë për Flamurtarin. Përballje shumë e rëndësishme dhe tepër delikate mes skuadrave që janë të “dënuara” vetëm për 3 pikët.
Dinamo – Flamurtari do të zbresin në fushë ditën e dielë, teksa në orën 16:30 do të përplasin “brirët” dhe do të bëjnë mes tyre llogaritë e javës së 24- të kampionatit. Për këtë Daja dhe “djemtë” e tij do të jenë “all-in” në fushë për të arritur fitoren e parë për këtë vit në kampionat dhe për të “blinduar” vendin e tyre në “Final – Four”.
