Teuta po kalon padiskutim një moment shumë të vështirë në kampionat. “Djemtë e Detit” nuk po arrijnë dot te rezultatet pozitive, teksa prej 10 ndeshjesh kanë nisur “agjërimin”.
Durrsakët në më shumë se 1 fazë të kampionatit nuk kanë mundur të sigorjnë 3 pikët, duke harruar edhe “shijen” e fitores. Rezultatet këto që kanë sjellë një “krizë” në ekip, me Enkeleid Dobin që nuk po ia del dot të rikthejë ekipin në “shinat” e duhura.
Fitorja e fundit e Teutës në kampionat është ndaj Vllaznisë më 28 nëntor 2025 dhe tashmë më shumë se dy muaj e gjysmë nuk marrin rezultat pozitiv. Në 10 ndeshje kanë mundur të sigurojnë 6 pikë, duke marrë 6 barazime dhe janë mposhtur në 4 raste të tjera.
Aktualisht ndodhen në vendin e 6-të në klasifikim me 27 pikë, 6 më shumë se Tirana e vendit të 8-të dhe 8 më pak se Dinamo e vendit të 4-të. Skuadra duhet të reagojë sa më shpejt të mundet, pasi çdo ndeshje e më shumë pikët marrin rëndësi akoma më të madhe, pasi kampionati ka hyrë në fazën më delikate të tij.
“Autokritika” duhet të vijë që në sfidën e radhës në Superiore. Siç dihet durrsakët do të presin në “Niko Dovana” skuadrën e Bylisit dhe mes tyre do të bëjnë llogaritë e javës së 24-të të Superiores.
