Egnatia do të luajë ndeshjen e "jetës" përballë Dinamos, në sfidën që mund ti sjellë dhe titullin e 3-të kampion në Superiore. Takimi i vlefshëm për raundin e tretë dhe të fundit, do të zhvillohet në stadiumin "Elbasan Arena", prej orës 19:00.
Pak orë nga ky duel, ka patur një reagim nga trajneri i rrogozhinasve, Nevil Dede, i cili përmes një postimi të publikuar në profilin e tij në rrjetet sociale, i është drejtuar futbollistëve dhe sidomos arbitrave, me një mesazh që tingëllon si një thirrje e hapur për të ofruar një garë të ndershme.
Nëse Dede ia del të fitojë trofeun më të lakmuar në Shqipëri, do të ishte vazhdim i punës së lënë në mes nga ish-trajneri Edlir Tetova dhe një motiv akoma dhe më i madh për themelet e projektit të për sezonin që vjen.
POSTIMI:
“Djem futbollistë,
Nëse luani për dinjitetin tuaj,
Nëse luani për fanellën,
Nëse luani për klubin,
Nëse luani për shokun tuaj,
Zoti jua bëftë hallall!
Por mos luani kurrë për ata që sot ju ngrenë e nesër ju ulin.
Mos luani kurrë për ata që ju keqtrajtojnë.
Mos luani kurrë për ata që ju fyejnë apo ju ofendojnë.
Mos luani kurrë për ata që nuk ju respektojnë dhe nuk ju vlerësojnë.
Miqtë tanë arbitra,
Ndihmojini të ndihen të respektuar dhe të vlerësuar. Respektoni dinjitetin e tyre njerëzor sepse edhe ata janë pjesë e lojës sonë.
Le të garojmë me ndershmëri, respekt dhe dinjitet në çdo ndeshje.
Në fund, le të fitojë më i miri."
