Komisioni i Disiplinës njoftoi të enjten vendimet e fundit të vlefshme për atë se çfarë ndodhi në javën e 33-të të Abissnet Superiore, ku fokusin e pati kryesisht derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit.
Pikërisht, kjo përballje mes rivalëve të përjetshëm që solli tensione dhe incidente, u bë subjekt i ndëshkimeve nga Disiplina pranë Federatës shqiptare të Futbollit dhe lojtari që u përball me pasojat më të rënda ishte pikërisht Rijad Kobiljar, mesfushori i bardhebluve.
Festa në përfundimin e sfidës, e cila kulmoi me thirrjet e pahijshme dhe antisportive kundrejt Partizanit, bëri që boshnjaku të mos tolerohet në mënyrë absolute. Plot 6 ndeshje pezullim u vendos për Kobiljar, i cili zgjodhi që këtë akti ndëshkues t’i përgjigjet në rrjetet sociale përmes një postimi të shpërndarë nga një shkrimtar i quajtur Ammar Basic.
“Gjithmonë kujto se nuk ka rrugë të shkurtës ose të gjatë për të shkuar drejt suksesit, ekziston vetëm rruga e duhur. Kur je në atë rrugë, të duhet pak më shumë kohë sepse nuk po gënjen, nuk po mashtron, as manipulon apo përdor njerëz dhe nuk shet as shpirtin. Sepse kur ecën në atë rrugë ndjen diçka në gjoks që nuk mund të krahasohet me asgjë që kanë ata që ndjekin rrugë të tjera. Të jetosh dhe të vdesësh i lirë, i mirë me njerëzit dhe i bindur ndaj Krijuesit, është arritja më e madhe”, është shkrimi i cili i ka bërë përshtypje lojtarit të kryeqytetasve dhe që nënjëfarë mënyre tregon se ai nuk dorëzohet pavarësisht pengesave.

