Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

Kobiljar “i bën gjëmën” Tiranës, Disiplina “masakron” me gjoba klubet e Superiores (VENDIMET)

Shkruar nga NEWSPORT
Kobiljar “i bën gjëmën” Tiranës, Disiplina
Disiplina

Një derbi i fituar, por me pasoja të rënda për Tiranën! Bardheblutë mposhtën rivalët e përjetshëm javën e kaluar me rezultatin 2-1 në stadiumin “Air Albania”, duke u larguar disi nga zona e ftohtë e rënies. Megjithatë, “të dridhurat” sapo kanë filluar të ndihen në këtë kamp, pasi Disiplina ka zgjedhur mos t’i tolerojë në mënyrë absolute për incidentet që u regjistruan në fushën e lojës.

Kështu, vendimi i fundit i dalë nga Komisioni i Etikës pranë FSHF-së ka vendosur t’i ndëshkojë së pari me një gjobë në vlerën e 200 mijë lekëve të rinj, për sjelljet josportive të treguara në ulëset e stadiumit. Me të njëjtën vlerë është gjobitur dhe Elbasani për të njëjtin shkak që lidhet me veprimet antisportive të tifozerisë, ndërsa në anën tjetër Partizani është gjobitur me gjysmën e kësaj vlere, pra në 100 mijë lekë të reja.

Sakaq, Rijad Kobiljar mund të jetë “penduar” vonë për koret e rënda drejtuar tifozëve të Partizanit pas përfundimit të takimit, kjo sepse Disiplina është treguar vërtetë e pamëshirshme ndaj mesfushorit të Tiranës. Kështu, boshnjaku do të mungojë në plot 6 ndeshje, duke i hapur një tjetër telash Orges Shehit në luftën për mbijetesën.  

VENDIMI I DISIPLINËS:

"1. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke përdorur kore dhe banderola fyese, ndezje flakadanësh dhe duke dëmtuar ulëset e stadiumit, në bazë të neneve 17/2/c, 17/2/e dhe 17/2/f të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
2. Lojtari i KF Tirana, Rijad Kobiljar, për sjellje josportive dhe cenim të reputacionit të veprimtarisë futbollistike dhe anëtarëve të saj duke përdorur gjuhë fyese pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/f të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Në zbatim të nenit 6/5 të KDE, KF Tirana ka përgjegjësi solidare për mbulimin e detyrimeve monetare të zyrtarëve të klubit.
3. Zyrtari i KF Tirana, Omer Bunjaku, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke hyrë në fushën e lojës në mënyrë të paautorizuar dhe të parregullt, në bazë të nenit 13/2/a të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
4. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke përdorur kore fyese, ndezje flakadanësh dhe duke dëmtuar ulëset e stadiumit, në bazë të neneve 17/2/c, 17/2/e dhe 17/2/f të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
5. AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës duke rrezikuar sigurisë e zyrtarëve dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar në mënyrë të përsëritur, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/h dhe 33 të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.
6. Lojtari i KF Butrinti, Pius Nelson Joseph, për sulm ndaj lojtarëve kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
7. Lojtarja e KF Lushnja Vajza, Aila Limaj, për sulm ndaj lojtareve kundërshtare, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
8. Flamurtari FC U-17, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kampionatit Kategoria e Parë U-17, kundër KF Shkodra U-17, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
9. Lojtari i Flamurtari FC U-16, Kieron Caushaj, për provokim të spektatorëve, në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
10. Lojtari i KF Vora U-14, Gani Zeneli, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
11. Lojtari i KF Vora U-14, Keljo Zylfo, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
12. AF Kamza U-13, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kampionatit Kategoria e Dytë U-13, Zona Rajonale Tiranë, kundër Kamza Sport C U-13, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
13. Lojtari i KF Spartaku U-14, Kleandro Daci, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
14. Lojtari i Fushë Kruja U-14, Ersilio Baku, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
15. Kamza 07, U-16, për mospërmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive duke shkaktuar braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kategorisë së Dytë U-16, zona Rajonale Tiranë, kunder Dinamo Junior U-16, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
16. Dinamo 14, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kampionatit Kategoria e Dytë U-14, Zona Rajonale Tiranë, kundër Kamza Sport U-14, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
17. Pasioni U-13, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kampionatit Kategoria e Dytë U-13, Zona Rajonale Tiranë, kundër Dyrrah City U-15, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit."

Poll

Lexo gjithashtu