Partizani ka fituar në transfertë përballë Bylisit në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Adush Muça”, përfundoi 1-2 në favor të miqve. Pas këtij dueli ka folur trajneri i ballshiotëve, Mirel Josa.
“Mendjemadhësi? Nuk kishte gjë të tillë. Problemi është si të menaxhojmë lojën. Kur po fitonim 1-0 nuk bëmë diçka për të vendosur Partizanin në alarm. Patëm momente që duhej të qetësonim më tepër lojën, mos të luanim me 1 takim siç bënë mesfushorët tonë. Duhet të merrnim kohë për të goditur Partizanin. Në momentet e golit të parë që ne pësuam, na detyroi Partizani që të shkonim mbrapa në pozicione, s’kishim pse humbnim markimim e lojtarëve.
Për të mos rrezikuar Koxhin, menduam të fusnim një më të freskët. E humbëm pak me lëvizjen që bëmë me Davidin, por kishte karton dhe kishim frikën e kartonit të kuq, mos të mbeteshim me 10 lojtarë. Unë e thashë që duhet të kishim pasur qetësi kur topi shkonte në mesfushë, që të merrnin pozicionet e mira për të marrë pasimin. Ky ishte problemi, kemi humbur topin në mesfushë 3-4 herë, aty duhej të godisnim”, tha Josa.
