Irgi Kasalla ka qenë një nga emrat më të spikatur të këtij sezoni në Kategorinë Superiore, duke shkëlqyer me fanellën e Vorës. Sulmuesi kontribuoi në mbijetesën e skuadrës në elitë dhe tashmë është gati të hedhë hapin e madh në karrierë me transferimin në Premier League ukrainas.
Klubi ukrainas Kolos Kovalivka ka arritur marrëveshjen me Vorën për transferimin e lojtarit, i cili pritet të firmosë një kontratë 3-vjeçare. Sipas raportimeve nga Ukraina, kartoni i autorit të 13 golave në Superiore do t’i kushtojë klubit të ri rreth 250 mijë euro.
Me afrimin e Kasallës, Kolos Kovalivka do të shtojë në skuadër një tjetër futbollist të ardhur nga Superiorja shqiptare. Më herët, klubi ukrainas kishte transferuar edhe Arinaldo Rrapajn, duke vijuar interesimin për talentet e kampionatit shqiptar.
