Jorgo Meksi me shumë mundësi do të largohet nga Dinamo. Kontrata e 31-vjeçarit përfundon më 30 qershor dhe burime për “Newsport.al” raportojnë se deri më tani nuk ka bisedime për rinovim.
Pritet që 31-vjeçari të jetë “firo” e radhës nga dinamovitët, pas Rustem Hoxhës. Megjithatë, ndonjë ofertë në limite, mund t’i ndryshojë mendjen mbrojtësit të djathtë, edhe pse gjasat janë të pakta.
Kujtojmë që Meksi u bashkua me Dinamon në janarin e vitit 2024, kur vendosi të mbyllte aventurën e tij në Greqi me Chaidari. Tashmë, 31-vjeçari pritet të dalë lojtar i lirë në merkato.
Këtë sezon, Jorgo Meksi ka marrë pjesë në 26 ndeshje me Dinamon dhe me një total prej 1,285 minutash, duke mos qenë titullar fiks. Vlera aktuale e anësorit në "Transfermarkt" është 150 mijë euro.
Kujtojmë që karrierën e tij, Meksi e ka nisur me ekipin grek të Panionios. Më vonë, ai është aktivizuar edhe me skuadra si Ilysiakos, Skënderbeu, Kukësi dhe Chaidari.


