Egnatia dhe Vllaznia kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të Superiores. Supersfida e zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës, përfundoi me shifrat 2-2. Pas këtij dueli ka folur "Lojtari i Ndeshjes", Sherif Kallakun, autorin e golit të parë të shkodranëve.
“Jam i mërzitur. Për publikun është ndeshje e bukur, duke marrë parasysh rezultatin i gjithë ekipi është i mërzitur. Duke parë se çfarë dha Egnatia dhe ne, mund të them se ishte rezultat i drejtë. Për ju është e bukur loja, por për ne është presioni i pikëve dhe na duhen gjithmonë 3 pikët. Ne i dimë cilësitë tona, e kemi treguar pavarësisht se me Vlorën nuk kemi patur moment të mirë prej mungesave. Kemi qenë 5 lojtarë me probleme, por kemi sakrifikuar pasi s’kishim rotacion, nga ndeshjet e tjera jemi të kënaqur.
Nota që do i vendosja vetes? Të them të drejtën, notë s’mund të them shumë të lartë, por as shumë të ulët, mendoj tek mesatarja, duke njohur veten time. Unë dua të jap më të mirën. Notat i jepni ju më mirë dhe unë do të dëgjoj. Shkodra dhe forma? Të them të drejtën jeta jashtë fushe më ndikon në fushë. Në Shkodër jam ndierë mirë, ashtu si tek Teuta.
Edhe tek Tirana kam dhënë më të mirën. Edhe mbase jam rritur vetë, gjithmonë mundohem të jap më të mirën. Te Vllaznia kam trajnerin që më njeh dhe më beson. Ai beson te unë dhe kam përgjegjësi akoma më të madhe. Vllaznia ka vite që dëshiron titullin kampion dhe ne luftojmë dita-ditës për ta rikthyer aty ku e meriton.
Unë kam një avantazh, në ish ekipin tim kam pasur trajner gjerman dhe kam luajtur gjithmonë 1 kundër 1. Ultra-presingu është përgjegjësi e lojtarit, unë jam adaptuar shumë mirë me këtë. Me profesor Martinin po ambientohemi shumë mirë. I dimë risqet, por është futboll modern”, tha Kallaku.
