Orges Shehi ditën e djeshme është rikthyer në kryeqytet, ku ka marrë në dorë drejtimin e Tiranës. Trajneri kampion me bardheblutë në sezonin 2021-2022 zëvendësoi kështu në stol Ardian Nuhiun e shkarkuar.
Drejtuesit dhe Shehi mes tyre kanë firmosur një kontratë deri në fund të këtij sezoni. Në këtë mënyrë ish-kapiteni i Skënderbeut do të jetë në krye të kryeqytetasve për 4 muajt e ardhshëm, periudhë kjo ku padiskutim duhet të tregojë “stofin” e kampionit.
Kjo pasi siç dihet aktualisht Tiranë endet në vendin e parafundit në klasifikim me vetëm 21 pikë pas 25 ndeshjesh. Kanë 1 më shumë se Flamurtari, 2 më pak se Bylisi i vendit të 8-të dhe 5 më pak se Vora e vendit të 7-të.
Padiskutim qëllimi dhe objektivi i Shehit është të rikthejë bardheblutë në “rrugën e duhur” dhe të bëjë të mundur qëndrimin në elitë mes ekipeve më të mira në Shqipëri. Rruga për të arritur në “finish” nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi tashmë çdo skuadër lufton për çdo pikë e cila do të vlejë sezonin, por fakti që ndjeh mirë ambientin bardheblu, shton “shpresat” te tifozët dhe drejtuesit se në fund të gjithë do të mund të festojnë.
Puna e Shehit te Tirana drejt qëndrimit në elitë nis që ditën e sotme, ku timonieri do të dalë në stërvitje me skuadrën dhe ku do të zhvillojë edhe përgatitjet e para për sfidën e ardhshme në kampionat. Siç dihet Tirana do të luajë ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” ditën e premte në orën 19:00, takim i vlefshëm për javën e 26-të të kampionatit.
