
Elbasani është mposhtur në shtëpi nga Vora me përmbysje. Sfida e vlefshme për javën e 7-të të Superiores, përfundoi me shifrat 1-2 në favor të miqve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Arjan Bellai.
“Në radhë të parë dua të përgëzoj çunat. Ishte një ndeshje që s’duhej të dilnim pa pikë nga fusha e lojës. Për fat të mirë morëm 3 pikë të cilat janë të rëndësishme. Treguam karakter, me duele të ashpra të cilat i fituam dhe na dhanë qetësi, shto këtu edhe dy golat.
Duke lexuar mbrojtjen e Elbasanit, dinim hapësirat që linin dhe ajo që më pëlqen është se nuk kemi liderë, jemi të gjithë njësoj. Besoj që luftën sot na e dha mesfusha duke markuar dy qendrat e Elbasanit. Vetëm ajo besoj se ishte suksesi ynë, duke mbyllur qendrën e Elbasanit. Jemi shumë të mirë në luftën në ajër.
Besoj se këtë ndeshje kishim zgjidhur sa më thjeshtë të luanim dhe të shkonim te zona e kundërshtarit. Donim të mbronim mirë dhe të mos pësonim gol. Kemi luajtur besoj edhe ndeshje të tjera me kombinacione. Në fund të fundit duhet të kënaqem edhe unë një herë me 3 pikët dhe jo lojën e bukur. Të gjithë gjykohemi nga rezultatet. Kemi bërë lojë të bukur me Vllazninë dhe Egnatian, por s’kemi marrë atë që duhet. S’duhet ta vrasim futbollin. Duke qenë ekip i ri në Superiore, duhet të shohim 3 pikëshat ose pikët në çdo ndeshje. Kjo fitore për ne meriton notën 10.
Objektivi, mbijetesë? Ne shikojmë çdo ndeshje në veçanti. Ndeshja e radhës me Dinamon, përsëri e fortë me ekip që luan futboll të bukur, ende është pretendente për kampionat. Ne do vazhdojmë ndeshje për ndeshje”, tha Bellai.