Flamurtari ka fituar në shtëpi përballë Vllaznisë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që u zhvillua në stadiumin e Vlorës, përfundoi 1-0 në favor të vendasve. Pas këtij dueli ka folur trajneri i shkodranëve, Edi Martini.
“Kartoni i kuq i Bismark? Nuk duhet ta bënte atë veprim, nuk kishte asnjë arsye. Por ky është futbolli. Një rast, një krosim pa shumë pretendime, ulet topi pa gjë të keq, më dhemb shumë. Por loja dhe karakteri i djemve, luajtën më mirë në pjesën e dytë.
Por duhet të ishim më agresivë për të gjetur golin. Nuk është e lehtë të bësh gol, fol sa të duash, ndeshje e mirë, ndeshje e mirë, mungojnë 3 pikë që dhembin. Do të vazhdojmë ritmin, mënyrën e lojës me agresivitet. Këtë javë kemi ndeshje shumë të vështirë në Rrogozhinë, të shohim përpara. Jemi në vend të parë, ta mbajmë atë, kemi shumë punë për të bërë.
Nuk na çaloi për asnjë moment loja në sulm, me Pusin që futa, por edhe me Muratajn që futa në fund, donim gjithçka për gjithçka. Edhe pse ishim 20 minuta përpara, do të ishte shumë aventura të bëjë ndërrim tjetër, mund të kishte dëmtime, edhe të luanim me një tjetër lojtar më pak. Më vjen keq sepse patëm shumë raste, sidomos në pjesën e parë. Ishim të nervozuar. Në të dytën donim golin, më dhemb shumë pjesa e parë.
Humbja e dytë në 2026, Bylis dhe Flamurtari? Futbolli është i tillë, ti humbet shumë raste. Ata të vijnë një herë në portë dhe të bëjnë gol, nuk fiton gjithmonë më i miri”, tha Martini.
