Vllaznia u mposht në Shkodër nga Bylisi me rezultatin 0-2, në kuadër të javës së 34-të të Abissnet Superiore. Pas këtij dueli të zhvilluar në stadiumin "Loro Boriçi" që foli në favor të ballshiotëve, ka folur për mediat trajneri i shkodranëve, Edi Martini.
"E pafalshme për ne, kjo tregon që ekipi, çdo ekip sado cilësitë të ketë nëse s’ka motivimin e duhur përpara ndeshjes, nuk arrin të shprehë atë në fushë. Filluam mirë, patëm dhe rastet tona, ndikuan për cilësitë për egoizëm të tepruar. Nuk arritëm të shënonim.
Pastaj u bëmë nervozë, filluam të kërkonim golin në mënyra që s’janë mënyrat tona, por duhet thënë që është një nga ndeshjet më të këqija që kemi bërë. Të paktën duhet të ishim më të qartë sepse kjo ishte dhe një ndeshje që kapnim dhe vendin e parë prapë, ishim aty ku kishim qenë pothuajse në të gjithë fazën e kampionatit, e pafalshme.
Mendoni se ndikon për ndeshjet e ardhshme? “Po ndikon, ana psikologjike është ana më e rëndësishme në këto momente por gjithsesi janë dhe dy ndeshje të tjera deri në fund të kampionatit ku duhet të bëjmë maksimumin dhe të shohim final four.
Po tifozët? Nuk kanë faj aspak, i kuptoj drejtë. Por thashë, në qoftë se nuk je i mobilizuar 100% ndaj çdo kundërshtari nuk ia del për ta fituar ndeshjen kështu që unë personalisht kërkoj ndjesë dhe s’kam asgjë tjetër për t’i thënë përveç se kemi ndeshje të mërkurën dhe duhet të punojmë anën psikologjike sepse të them të drejtën është e rënduar në këto momente, por të shohim të ecim përpara.
Dy sfida të forta përballë Tiranës dhe Flamurtarit që luftojnë për mbijetesën? Nuk ka asnjë të lehtë, nuk ka asnjë ndeshje që është e lehtë, aq më tepër kur nuk je 100% i gatshëm për të përballuar një ndeshje ose që e nënvlerëson një ndeshje siç e nënvlerësuam ne sot. Çdo ndeshje është e vështirë, aq më tepër si Vlora si Tirana janë pothuajse të njëjtat pozita, bëhet e vështirë por gjithsesi do të bëjmë maksimumin.
Çfarë ndryshon në final four? Do të shohim ndeshjet që na vijnë të mërkurën, final four është larg. Këto tre pikët për ne ishin të arta, s’ia dolëm t’i marrim dhe janë shumë të rëndësishme pikët me formulën që është, përgjysmohen pikët. Duhet të jesh në vendin e parë, gjynah, prandaj duhet të mbarojmë këtë ndeshje, pastaj të shohim final four”, tha Martini.
