Vllaznia ka mposhtur Vorën në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Vorës, përfundoi 1-0 në favor të shkodranëve. Pas këtij dueli ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, Elmando Gjini.
“Jam shumë i kënaqur. E kena nisur mirë vitin, shpresoj që të vazhdojmë kështu dhe t’i marrin ndeshje për ndeshje. Unë mund të bëj edhe lojën e mesfushës, i vogël kam luajtur 6-sh. Por është më mirë të qëndroj prapa, kemi edhe Krymin që na ndihmon në fazën ofensive, nuk kam nevojë të shkoj përpara. Të dal lojtari i ndeshjes, besoj se nuk e meritoj vetëm unë, por gjithë ekipi. Unë bëj punën time mbrapa, bëj maksimumin.
Ofensivën e kemi të mirë, por Vora luan mirë. Çfarë pres nga ky sezon? Unë shikoj gjërat ndeshje për ndeshje, s’mendoj më larg. Në çdo ndeshje do të jap maksimumin dhe shpresoj për më të mirën. Ftesë nga Kombëtarja për marsin? Nga U15 deri në U21 kam luajtur me Shqipërinë, por nuk e mendoj më gjatë. Të jap maksimumin këtu, por do ishte ëndrra ime, Kombëtarja”, tha Gjini.
