Flamurtari nuk po kalon aspak një periudhë të mirë në këtë sezon. Kuqezinjtë ndodhen në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit me vetëm 20 pikë, duke qenë një nga skuadrat më të rrezikuara për të rënë një kategori më poshtë.
Por sikur të mos mjaftonin vetëm kaq, në Vlorë duket se ka një “çështje” tjetër tepër serioze. Francesco Moriero për të disatën ndeshje nuk ka udhëtuar me skuadrën. As këtë herë nuk është pjesë e ekipit për transfertën e Durrësit, ku Flamurtari do të përballet me Teutën në orën 19:30.
Disa ditë më parë u mësua se timonieri i kuqezinjve kishte përfunduar në spital për shkak të stresit dhe ankthit që i ka shkaktuar situata në Vlorë. Por tashmë një pistë tjerër është ngritur për mungesën e tij, teksa mendohet se mund të jetë shkarkuar për mungesën e rezultateve.
Gjithsesi edhe këtë herë Flamurtari do të jetë në “dorën” e dy zëvendëstrajnerëve, të Andi Ribajt dhe Lejdi Liçaj. Në ditët në vazhdim pritet të mësohet më shumë mbi këtë situatë dhe çfarë ka ndodhur saktësisht me italianin.
