
Vllaznia dhe Tirana do të përballen këtë të premte në kuadër të javës së 8-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, do të nisë në orën 17:00. Në prag të këtij dueli para mediave ka folur kapiteni i shkodranëve, Bekim Balaj.
“Kjo është një ndeshje që pritet me interes, duke ditur historinë dhe rëndësinë e përballjeve ndër vite. Vjen në një moment që realisht jemi në vend të parë, një fitore do na shërbente për vazhdimësinë. Kështu që interesi i kësaj ndeshje të na shërbejë për afrimin e tifozëve në stadium dhe normalisht me një fitore tonën.
Nostalgji për Tiranën? Të them të drejtën jemi profesionistë. Kam kaluar një periudhë të mirë te Tirana, që më ka ndihmuar për lëvizjen time jashtë Shqipërisë në atë kohë. Sigurisht që kam respekt maksimal për kohën që kam kaluar aty, por sot vesh fanellën e Vllaznisë dhe si kapiten i saj për mua është e rëndësishme të bëj më të mirën dhe për të shtyrë skuadrën sa më shumë përpara.
Ndoshta është herët për të thanë që jemi skuadra për t’u mundur. Për ne është e rëndësishme që të vazhdojmë me këtë ecuri. Normalisht që nuk jemi rastësisht në vend të parë, kjo është më e rëndësishmja. Kemi bërë mirë në plot ndeshje dhe jemi me meritë në vendin e parë. Por që është shumë herët dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, se kampionati është i gjatë dhe për ne çdo pikë ka vlerë.
Ndeshje e tensionuar? Masa do merren, nuk është se e kemi mendjen shumë te kjo pjesë. Por sigurisht sa më pak tensione, sa më shumë spektakël në tribunë dhe fushë do u shërbente të gjithëve.
Është gjithmonë një rivalitet në vite, është dueli i kampionatit shqiptar. Unë si fëmijë e mbaj mend, e kemi përjetuar me shumë entuziazëm fitoren ndaj Tiranës. Kam arritur ta përjetoj edhe si lojtar në fushën e lojës. Por më e rëndësishmja për ne janë pikët, një fitore ndaj Tiranës vlen 3 pikë për ne dhe kjo është më e rëndësishmja.
Të them të drejtën kemi një ekip të mirë, duke parë lojtarët në përbërje, apo edhe konkurrencën që është rritur në skuadër. Por sa ekip i mirë jemi dhe deri ku do shkojmë, do e tregojnë rezultatet. Nuk mund të them se kishim një ekip të keq vitin e kaluar, se shkuam deri në finale. Por kur nuk fiton trofeun, do të thotë që çdo gjë bie poshtë. Sezoni sapo ka nisur, kemi luajtur vetëm 7 javë dhe kemi kohë për të treguar se sa ekip i mirë jemi dhe çfarë jemi në gjendje të bëjmë.
Një nisje pak e sikletshme në pjesën e pësimit të golave, na ka bërë të gjithëve të reflektojmë, sepse e dimë që si sulmi, edhe mbrojtja, organizohet si skuadër. Siç ka ndihmuar pjesa tjetër te sulmi që të shënojmë, duhet edhe ne të ndihmojmë mbrojtjen që të mos pësojë.
Në renditje është një diferencë e dukshme me Tiranën por ndoshta jo në fushën e lojës. Është një ndeshje ndaj një kundërshtari që kur vjen në klasike, motivimi i lojtarëve është maksimal. Ndaj nuk besoj se do të ketë diferenca të mëdha, pasi si lojtarët e Vllaznisë, ashtu edhe të Tiranës, pavarësisht se ndoshta nuk janë në momentin e tyre më të mirë, do të jenë të motivuar për të bërë më të mirën në Shkodër. Tirana e tregoi, pavarësisht vështirësive, në ndeshjen me Partizanin që bëri mirë dhe e fitoi. Por siç e thashë, fokusi është te skuadra jonë, ajo që do të bëjmë në fushën e lojës dhe shpresojmë të dalim me tre pikë.
Dëmtimet? Janë disa problematika të vogla, që janë normale, por kontingjenti ka qenë i madh dhe dublimi i thuajse çdo pozicioni na ka dhënë luksin që edhe ndonjë mungesë që e kemi të arrijmë ta zëvendësojmë në mënyrën më të mirë. Ndaj kemi arritur ta ruajmë ecurinë e mirë pavarësisht dëmtimeve. Shpresoj që të kthehen sa më shpejt se realisht do na ndihmojë e do të bëhemi më të fortë.
Ne dimë që entuziazmi rritet me rezultate, në Shkodër jemi emocional, fluturojmë shumë shpejt. Por që realisht entuziazmi dhe paraqitja e skuadrës i ka bërë besimplotë tifozët, Ndaj duket ndeshje pas ndeshje që në shkallët e stadiumit po shtohet numri i tyre dhe realisht ka qenë një Vllazni që ka performuar mirë dhe ka arritur të fitojë, siç duan tifozët.
Presioni është normal kur luan te Vllaznia, mendoj se kemi mjaftueshëm eksperiencë për të përballuar këtë presion. Grupi është i shëndoshë, mund të them që lojtarët që kemi e përballojnë dhe performojnë me këtë presion. E rëndësishme është të ruajmë vazhdimësinë, me rezultatet shtohet besimi te secili.
Të fitojmë ndeshjen, kjo është e rëndësishme për ne, një fitore ndaj Tiranës vlen tre pikë, pavarësisht historisë që ka kjo përballje.
Ku është më e favorizuar Vllaznia? Nuk do e ndajmë në reparte, kemi pasur sulmin më të mirë, kemi tre ndeshje që nuk pësojmë, edhe portieri ka tre ndeshje pa pësuar e duhet vlerësuar. E rëndësishme është të performojmë si skuadër, të arrijmë të shënojmë. Por e rëndësishme është edhe të mos pësojmë dhe është një punë që duhet ta bëjmë të gjithë bashkë.
Golat në fund? Ndoshta në dy ndeshje na ka ndodhur. Nuk dua të them që është rastësi, por ndoshta është një alarm që të shtojmë fokusin e atyre minutave që të dimë t’i menaxhojmë edhe më mirë.
Presion ka gjithmonë, ne jemi në vend të parë. E rëndësishme është të ruajmë vendin e parë e vazhdojmë edhe më shumë atje”, tha ndër të tjera Balaj.