Dinamo do të luajë këtë të shtunë përballë Vllaznisë në transfertë, në sfidën e vlefshme për javën e 29-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, nis në orën 18:00.
Një duel që pritet të jetë mjaft interesant, edhe për vetë faktin e “luftës” së trajnerëve, Edi Martini e Ilir Daja. Këta të fundit janë kthyer në protagonistë sa herë që është luajtur kjo sfidë.
Megjithatë, Daja do të ketë një minus në ndeshjen e Shkodrës. Teknikut të dinamovitëve, do t’i mungojë krahu i djathtë në këtë sfidë, zv.trajner Renaldo Kalari.
Ky i fundit ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Ai u ndëshkua me të katërtin karton të verdhë gjatë këtij sezoni, në ndeshjen e fundit të kampionatit përballë Teutës dhe si pasojë do të mungojë në Shkodër.
Kujtojmë se Kalari ka eksperiencë në futbollin shqiptar, pasi ka drejtuar në të shkuarën Partizanin B. Gjithashtu, ai ishte pjesë e stafit të trajnerëve edhe në ekipin A të të kuqve, duke lënë kështu Dajën në Shkodër, pa idetë e tij.
