
Vangjel Mile ditën e djeshme u largua nga Tirana. tashmë timonieri është zyrtarisht pa ekip dhe mbyll kështu aventurën e tij me bardheblutë.
Një eksperiencë që zgjati shumë pak, me Milen që drejtoi kryeqytetasit vetëm 2 javë në Superiore. Gjatë kësaj periudhe ia doli të merrte vetëm 1 pikë, një barazim ndaj Bylisit në ndeshjen hapëse të kampionatit, ndërsa u mposht në javën e dytë nga Vora.
Këto rezultatet kanë bërë që palët të ndajnë rrugët mes tyre. Tashmë janë zbuluar edhe prapaskenat e këtij largimi të papritur. Nga sa është mësuar bëhet me dije se Mile dhe Refik halili kanë patur një bisedë të gjatë mes tyre pas humbjes me Vorën.
Mungesa e rezultateve dhe atmosfera jo shumë pozitive dhe shumë e tensionuar në dhomat e zhveshjes kanë bërë që Mile të “japë dorëheqjen”. Një vendim i cili është pranuar me butësi nga drejtuesit, të cilët gjithashtu nuk kanë “luksin” të presin më.
Gjithashtu Mile është shprehur se kjo aventurë është edhe në të keqen e karrierës së tij dhe për këtë ka menduar largimin. Mes palëve ka patur një shtrëngim duarsh dhe ndarja mes tyre ndodhi shumë shpejt, me drejtuesit që nuk preferuan të humbisnin kohë, pasi ndeshja e radhës me Flamurtarin është “prapa dere”. Zëvendësuesi i Miles tashmë është Roberto Bordin, i cili u prezantuar pasditen e djeshme nga kryeqytetasit.