Flamurtari do të pres sonte në orën 19:00 Vorën, për duelin e vlefshëm të javës së 31-të, i cili hap dhe siparin për ndeshjet pasardhëse të dielën dhe të hënën.
Në Vlorë, e kanë kuptuar se në këto përballje direkte duhet një “ringjallje” për të përmbysur hierarkinë e klasifikimit, kjo edhe sepse matematika nuk i lejon më hapat fals, pasi në të kundërt rënia një kategori më poshtë do të shënonte një fund të hidhur për ekipin vlonjat. Pika e marrë po në shtëpi ndaj Tiranës javën e kaluar, është një arsye më shumë pse në kampin kuqezi ushqehet ende optimizëm.
Skuadra e drejtuar nga Andi Ribaj është e gatshme të japë dhe shpirtin në fushën e lojë për t’i marrë pikët e plota kundërshtarit, pasi me Vorën, fitorja e fundit daton që prej prillit të vitit të kaluar dhe në këtë edicion s’e kanë provuar ende shijen e suksesit, pasi në takimet “kokë më kokë” vorakët kanë marrë vetëm një fitore, ndërsa dy të tjerat kanë përfunduar në barazim.
E ndodhur në fund të renditjes, me 25 pikë në 30 javë kampionat, Flamurtari duhet të japë shenja “jete” këtë mbrëmje në mënyrë që distanca me Tiranën e një vendi më sipër mos të zgjatet më shumë.
