
Edi Martini nuk ishte i vetmi nga skuadra e Vllaznisë që doli në konferencën për shtyp para duelit me Egnatian. Së bashku me të foli edhe Bekim Balaj.
Kapiteni është mjaft entuziast për nisjen e sezonit të ri, ndërsa nënvizon se tashmë gjithçka është ndryshe. Humbja në finalen e sezonit të kaluar është lënë mbrapa dhe ekipi do të japë maksimumin për të fituar trofe në këtë sezon.
“Normalisht ndeshja e parë pritet me entuziasëm, përqëndrim maksimal, ndeshja e parë e një sezoni të gjatë, por duhen marrë me radhë, i gjithë fokusi është nesër te Egnatia dhe te 3 pikëshi. Egnatia është një ekip që duhet vlerësuar, është kampionia e sezonit të shkuar, deri diku ka bërë një ecuri të mirë edhe në Europë, por që luajmë në fushën tonë dhe qëllimi është të bëjmë më të mirën.
Gjatë sezonit të kaluar që u përballëm me Egnatian ka qenë në baraspeshë, finalja është një histori e shkuar, nis një sezon i ri dhe me besim maksimal. Nuk besoj se ka rëndësi fakti që e nisim sezonin kundër Egnatias, e rëndësishme është fokusi te skuadra jonë, jemi gati. Unë jam lojtar si të gjithë, i njohim ata që janë afruar, pritshmëritë janë të mëdha, por jam i bindur që do të na ndihmojnë shumë.
Kënaqësia më e madhe për mua është ta nisim me fitore mbi të gjitha. Vllaznia e nis me pretendime maksimale, ta nisim në mënyrën e duhur, me një mbështetje maksimale nga tifozët në “Loro Boriçi” dhe të jetë një ogur i mbarë për këtë sezon”, ka mbyllur kapiteni.
Kujtomë se përballja me Egnatian do të luhet ditën e nesërme. Duel që do të risjellë edhe njëherë emocionet e finales së titullit. Sfidë kjo e parashikuar të zhvillohet ditën e nesërme në “Loro Boriçi” në orën 20:00.