Elbasani ka triumfuar në transfertë përballë Flamurtarit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Vlorës, përfundoi 0-1 në favor të miqve. Pas këtij dueli ka folur trajneri i vlonjatëve, Francesco Moriero.
“Jam i kënaqur me çunat e mi. Për të disatën herë nuk na është dhënë një penallti. Mos të flasim për kohën. Është e disata herë që ndodh, nëse ndodh kështu, nuk e di për këtë që po i ndodh Flamurtarit. Do të thotë që jam i pafat. Mendoj se sot çunat kanë bërë paraqitjen më të mirë që kur unë kam ardhur.
Nuk e meritonim të humbisnim, na bënë vetëm një goditje në portë. Kishim shumë mundësi për gol, nuk ishim shumë me fat. Ekipi kishte karakter, nuk donte ta humbiste këtë ndeshje. Si njeri sporti, ashtu siç kam jetuar me Laçin një vit, jam njeri sporti, dua respekt. Nëse do të gjykojmë 3-4 ndeshje, s’ka ndryshim nga kjo. Kërkojmë atë që na takon.
Bëmë zëvendësimet, duhej të ndryshonim një modul loje. E vështirë të flasësh për futboll, për sistemin e lojës, ne punojmë fort si gjithë ekipet e tjera. Kur ndeshja vendoset nga episode jo të drejta, është e vështirë. Elbasani bëri një gol dhe fitoi. Por çdo javë jemi duke diskutuar episodet, ne bëmë atë që na takon”, tha Moriero.
                                
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       