Vllaznia nis një tjetër javë të rëndësishme, teksa presin Dinamon në “Loro Boriçi” për javën e 29-të të Abissnet Superiore.
Pas një ndalese dy ditore për shkak të pushimit, trajneri Edi Martini ka mbledhur të tijët për t’i përgatitur për përballjen e radhës e cila mund t’i katapultojë shkodranët akoma dhe më shumë në krye të tabelës.
Në dispozicion të Martinit janë të gjithë lojtarët, me përjashtim të Lirim Kastratit i cili do i nënshtrohet operacionit duke bërë që të humbasë fazën më vendimtare të sezonit. Stafi teknik është përqëndruar kryesisht në aspektin fizik dhe taktik duke rritur ritmin dhe intenstitetin, pasi kalendari nuk rezervon më përballje të lehta dhe duhet kapur maksimumi i pikëve për të besuar tek objektivi titull.
Klima te kuqeblutë vlerësohet pozitive, pasi në kampin shkodran janë të etur të marrin “kurorën” e kampionit të Shqipërisë, pasi për herë të fundit ky sukses daton në sezonin 2000-2001, pra rreth 25 vite pa provuar shijen e më të mirëve në Superiore.
View this post on Instagram
