Elbasani hodhi një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion, pasi mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Dinamon, në sfidën e vlefshme për raundin e dytë në final four.
Nisur nga kjo, verdheblutë ndajnë të njëjtin numër pikësh me kryesuesit e tabelës, Egnatian, 34 sosh, ndaj dhe e diela e ardhshme do të ndajë dhe “shapin nga sheqeri” për skuadrën që do të kurorëzohet fituese e këtij edicioni.
Në një prononcim të shkurtër për “Rubrikën Sportive” në RTSH, ka folur nga stadiumi “Air Albania” dhe presidenti i klubit, Kujtim Llupa, i cili zbuloi se sa do të shpërblehen futbollistët e Elbasanit nëse fitojnë kampionatin. Po ashtu, numri “një” i elbasanasve tregoi dhe një veçori që e dallon skuadrën e tij nga rivalët rrogozhinas.
"Kam premtuar që nëse ngrejnë kupën e kampionatit kanë 100 mijë euro", tha fillimisht presidenti.
Çfarë ka Elbasani më shumë se Egnatia?
“Në të gjitha përballjet që kemi patur me Egnatian këtë vit, përveç ndeshjes së fundi në Final Four, të gjitha të tjerat i kemi dominuar dhe nuk ka fituar asnjë ndeshje”, përfundoi Llupa.
