Vora udhëton në Vlorë për sfidën e radhës në kampionat me Flamurtarin, të vlefshëm për javën e 31-të të Abissnet Superiore. Suksesi me Teutën në shtëpi në shifrat minimale 1-0, ka bërë që skuadra e Arjan Bellait të shkojë më e motivuar në përplasjen direkte me një tjetër ekip që lufton për qëndrimin në elitë, ndaj dhe pikët në këtë fazë të mbetur kthehen në detyrim te vorakët për të arritur objektivin minimal të këtij sezoni.
Në prag të këtij dueli, për Newsport ka folur mbrojtësi i krahut të djathtë i Vorës, Henri Zuna.
Fitorja me Teutën ju ka rikthyer besimin dhe optimizmin. Si e ka ndryshuar kjo fitore skuadrën tuaj, kur në vazhdim do keni dy përplasje direkte me Flamurtarin dhe Bylisin?
"Fitorja ndaj Teutës ka qenë shumë e rëndësishme për ne, jo vetëm për pikët, por sidomos për aspektin psikologjik. Na ka rikthyer besimin te vetja dhe jemi më të motivuar për ndeshjet në vijim."
Me Flamurtarin, “finale” që mund të përcaktojë fatet e sezonit apo mund t’i merrni pikë edhe me skuadrave në krye?
"Ndeshja me Flamurtarin padyshim ka peshë te madhe dhe mund të konsiderohet si një finale, por nuk është e vetmja. Kampionati nuk mbaron aty dhe çdo pikë ka vlerë qoftë ndaj rivalëve direkt apo skuadrave të kreut. Ne duhet të jemi te përqëndruar në çdo ndeshje sepse kemi treguar që mund të marrim rezultate pozitive ndaj ekipeve më lart."
Në aspektin personal, si po e përjeton këtë fazë të mbetur të sezonit. Do ndikojë tek e ardhmja juaj, nëse Vora qëndron ose jo në Superiore?
"Personalisht po e përjetoj këtë fazë me shumë përqëndrim dhe përgjegjësi. Është një moment vendimtar si për skuadren dhe për mua. Vora do qëndrojë dhe unë jam lojtari i Vorës."
