Bylis u ndal në barazim 1-1 në stadiumin “Arena e Demave” përballë Partizanin, në duelin e vlefshëm për javën e 32-të të Abissnet Superiore.
Pas duelit, ka folur trajneri i ballshiotëve, Mirel Josa.
"Pas inferioritetit numerik, nxorrëm lojtarët që nuk ishin të freskët. Me pasimet e mesme duhet ta rrezikonim kundërshtarin. Me rastet jam shumë i irrituar. Jo sepse pika ishte keq, por rastet duhet t'i shfrytëzosh, një rast, një korne mund të fitonim lojën. Problemi që ne vazhdojmë luftën për mbijetesë dhe do të mundohemi deri në fund.
Besoj te lojtarët që fus në fushë. Janë lojtarët që janë stërvitur. Kishim ca probleme dhe kush përgjigjet më mirë do të futet në fushë. Vendosja 3-5-2, erdhi për shkak të mungesave, pasi nuk shoh si luan kundërshtari. Sot vendosja e tillë erdhi për shkak të mungesave që kishim.
A mungoi një pikë referimi? Duhet të dilnim me 25 metra që të fusnim Partizanin në vështirësi dhe të kishim kontrollin e situatës, qoftë me ndërrimin e sulmuesit.
Mund të ishte shfrytëzuar më mirë me sulmet nga ana e majtë? Mund të kishim një rast. Duhet të ishim më efikas me një nga dy sulmuesit, sidomos nga shërbimi i lojtarit të qendrës. Futbolli i ka të treja rezultatet. Jemi shprehur mirë dhe në ndeshjet e kaluara, por problemi qëndron tek efikasiteti përpara.", tha Josa.
