Në prag të ndeshjes me Flamurtarin, e cila do të luhet të shtunën në orën 16:00, stadiumi “Arena Egnatia”, klubi rrogozhinas ka publikuar çmimin e biletave sipas sektorëve.
Tribuna “VIP” do të jetë nga 30 mijë lekë të vjetra, sektori “A” dhe “B” në kuotën e 10 mijë lekë të vjetra, kurse “E” nuk shkon më shumë se 2 mijë lekë të vjetra. Përsa i takon sektorit “C”, shuma e vendosur përkon me 5 mijë lekë të vjetra.
Gjinia femërore do e ketë hyrjen falas. Humbja me Tiranën në kryeqytet, bën që ekipi i drejtuar nga Edlir Tetova ta ketë “detyrim” fitoren dhe 3 pikët karshi Flamurtarit, ndeshje e vlefshme për javën e 32-të në Superiore.
Egnatia e ka fituar dy herë radhazi titullin në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa kërkojnë të zgjerojnë këtë ecuri. Në edicionin aktualë, ata mbajnë vendin e 3-të, 5 pikë më pak se Vllaznia kryesuese, pozicion që të dërgon në Final Four, aty ku hyn në lojë rregulli i përgjysmimit të pikëve për 4 ekipet e para të tabelës.
